
Prokuroria e Përgjithshme ka marrë në pyetje deputetin Dritan Prifti, mbi dyshimet që ajo ka ngritur mbi të, në lidhje me akte korruptive, por nuk ka ngritur asnjë akuzë ndaj ish-ministrit të Energjitikës. (UPDATE)
Për më shumë se 80 minuta, Prifti ka qenë në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme duke dhënë shpjegimet e tij në lidhje me videon ku shfaqet ai edhe ish zëvendësi i tij Leonard Beqiri, si edhe një shumë prej 70 mijë eurosh.
Por seria e pyetjeve nga prokurorët nuk ka përfshirë vetëm këtë video, por edhe ate ku është shfaqur ai së bashku me ish-zëvendëskryeministrin Meta dhe ku bisedohej për favorizime biznesmenësh, nëpërmjet akteve korruptive.
Shpjegimet e dhëna nga ish-ministri i Energjitikës për të dyja videot janë mbuluar nga një sekret i plotë i organit të akuzës.
Prifti i shoqëruar edhe nga avokati Fatmir Brraka, si edhe truprojat e tij pas daljes nga Prokuroria nuk ka komunikuar me mediat, ndërkohë që për këtë seancë pyetjesh edhe nga organi i akuzës, nuk është bërë i ditur zyrtarisht asnjë detaj i saj.
Dyshimet ndaj Dritan Priftit u ngritën nga organi i akuzës, pas depozitimit të vetë të akuzuarit të një orë-videoregjistruese, kompjuterit dhe pajisjeve të tjera të përgjimit ku shfaqej ai dhe ish-zëvendëskryesminitri Ilir Meta.
Mirëpo gjatë kontrollit që ju bë pajisjeve, organi i Prokurorisë deklaroi se, arriti të rekuperojë edhe një filmim tjetër, atë të ish-ministrit të Ekonomisë Prifti, zëvendësit të tij dhe një shume prej 70 mijë eurosh.
Për këtë arsye atij dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, ju hoq imuniteti nga parlamenti shqiptar.
Top Channel