Rreth 25 mijë mësues shënuan ditën e 7 marsit në Kosovë. Në një ceremoni të organizar nga Ministria e Arsimit u vlerësua kontributi i tyre.

Por ky vit i gjeti ata pa rritje të pagave. Gjatë fjalimit të tij, ministri Rambuja nuk foli për rritjen e pagave nga 30 në 50%.

“Arsimin ta bëjmë të ruajtur sic ruhen shoqëritë, ta kultivojmë ashtu sic kultivohen vlerat dhe unë ju uroj suksese të pandalshme”, ka deklaruar ai.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe ambasadori shqiptar në Prishtinë, Islam Lauka, i cili përcolli pak a shumë të njëjtin mesazh.

“Gjithë sa jeni ju këtu, por dhe ata që s’janë të pranishëm, janë misionarë të shenjtë të kësaj detyre që qëndron para Kosovës dhe para Shqipërisë, sepse pak a shumë jemi në të njëjtat faza”, ka pohuar Lauka.

Por për mësuesit, premtimet e parealizuara të qeverisë janë fyese për ta. “Shpresojmë se qeveria do na ndihmojë, do t’i përmbushë premtimet e veta”, është shprehur një mësuese.

“Mendoj se premtimet qeveria duhet t’i mbajë pasi mësuesi është dritë e diturisë”, ka thënë një tjetër.

Ndërkohë, zyrtarët kosovarë në mesazhin e tyre falenderuan punonjësit e arsimit që po punojnë me sakrifica dhe në kushte të vështira.

Top Channel