Hila: Regjistrimi, interes direkt i Greqisë

07/03/2011 21:40

Greqia prej kohësh i ka shtrirë tentakulat e saj në Shqipëri, duke u përpjekur të influencojë në politikat e brendshme të saj.

I këtij mendimi është ish-diplomati Dritan Hila, i cili duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel ka nënvizuar se plani për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare është ndikim direkt i Athinës zyrtare.

“Kisha autoqefale nuk është më shqiptare, por është greke dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme greke dhe segmente të fshehta greke, ajo kërkon një regjistrim etnik”, ka deklaruar Hila.

Sipas tij, është e vërtetë që në disa vende anëtare të BE regjistrimi kryhet në një formë të tillë, por Shqipëria përbën një rast të vecantë.

“Ato vende që e kanë këtë kriter kanë një traditë, si për shembull vendet e ish-Jugosllavisë, dhe i kanë pakicat të një shteti më të dobët ekonomikisht. Shqipëria nuk e ka këtë traditë, nuk ka përse ta fusë atë dhe duhet bërë kujdes”, është shprehur Hila.

Top Channel