
Kryeministri Sali Berisha duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, ka deklaruar se mësuesit do të jenë gjithnjë në qendër të vëmendjes së qeverisë.
Ai ka theksuar se shumë shpejt do të ketë një rritje të pazakontë të rrogave për këtë kategori.
“Në parlament do të jemi avoketër të vlerave që ata përçojnë dhe do të mbështesim si mazhorancë, siç kemi mbështetur, sistemin e edukimit të vendit duke pasur në qendër të vemendjes mësuesit”, tha Berisha.
“Do të ketë një rritje të ndjeshme të rrogave të mësuesve. Rritja më e madhe e bërë ndonjëherë”, theksoi Berisha.
Duke folur për projektet rrugore që do të fillojnë në vend, ai ka vënë theksin tek rruga Berat-Lushnje, tuneli i Krrabës dhe “bypass”-in e Shkodrës.
“Autostrada Tiranë-Elbasan dhe tuneli i Krrabës i kanë dhënë përgjigjen më të shkëlqyer të korridorit 8 dhe boshtit të jugut sepse japin veprën e transportit më të përshtatshme, të distancës më të shkurtër dhe shpejtësisë më të madhe”, tha Berisha.
“Është e domodoshme të rindërtojmë rrugën Lushnje-Berat që kalon në zonat dëndësisht të banuara. Në asnjë rrethanë ajo nuk humbet vlerat dhe rëndësinë sepse përbënë një dalje në det të gjithë kësaj zone”, deklroi ai.
“Vepra shpëtimtare e qytetit të Shkodrës nga përmbytjet. Ne kemi përshtatur projektin fillestar duke e shndërruar në një digë të vertetë e cila me rirregullimet e fundit do mund t’i japë mbrojtjen me maksimale qytetit të Shkodrës nga përmbytja. Ajo do jetë një vepër madhore duke i dhënë përgjigje një faktori që ka vendosur qytetin periodikisht në vështirësitë më serioze”, theksoi kryeministri.
“Këto projekte janë të mundura falë suskesit të luftës ndaj korrupsionit që kjo qeveri ka bërë, performacës së institucioneve dhe agjencive të këtij vendi”, përfundoi ai.
Top Channel