
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike raportoi në komisionin e ekonomisë se monopoli po e mban në ngërc tregun e telefonisë fiske.
“Në vitin 2010 pajtimtarët ishin 332 mijë, numër më i ulët se 338 mijë që ishin në 2009-ën. Telefonia fikse s’ka ecur mirë. Penetrimi është 10 për qind, ndërsa në rajon 40%. Kjo situatë ka një efekt që ka ndikuar në monopolizimin e cmimit, duke ndikuar edhe tek telefonia celulare”, ka deklaruar Pirro Xhixha, kryetar i AKEP.
Telefonia fikse është ofruesi kryesor i shërbimeve të internetit dhe rrjedhimisht edhe kjo industri është në kushte jokonkurrenciale.
Sipas Bankës Botërore, tarifat mujore të internetit me band të gjerë në Shqipëri janë 66.88 euro, ose 6 herë më të larta se ato në Kroaci, gati tre herë më shumë se Turqia, Bosnja dhe Serbia dhe mbi dy herë më shtrenjtë se Mali i Zi.
“Numri i familjeve që kanë akses në internet broadband është 30 përqind e familjeve, ndërsa 10 mijë janë pajtimtarë biznesi. Numri më i madh i pajtimtarëve janë të Albtelekom me 70 për qind”, ka saktësuar Xhixha.
Në lidhje me telefoninë fiske, autoriteti tha se tarifat për këtë shërbim po vijnë në ulje konstante dhe do të vazhdojnë të ulen edhe në shtator të këtij viti.
Top Channel