
Edhe në mbyllje të samitit të socialisteve europianë në Athinë, krerët e partive pjesëmarrëse, nuk kanë humbur rastin për të treguar edhe njëherë se shkaktarë të krizës ekonomike që po kalon Europa në tërësi, dhe Greqia me Irlandën në vecanti, janë konservatorët dhe mënyra e tyre e qeverisjes.
Presidenti i eurosocialistëve Pol Rasmusen, Sekretarja e Partisë Socialiste franceze, Martin Ombri dhe kryetari i Fondacionit të Zhvillimit Europian, Masimo D’Alema, në konferencën e përbashkët për shtyp, kanë pohuar se për krizën nuk e kanë fajin popujt e Europës, por qeveritë konservatore të saj.
“Ne nuk duam që të lejojmë këtë krizë ekonomike të na ndajë, ne nuk duam që të lejojmë tregjet financiare të krijojne hendeqe të rinj midis qytetarëve të Europës”, deklaroi presidenti eurosocialistëve, Rasmusen.
Si shembull për frikën që duan të mbjellin konservatorët kudo në Europë, janë marrë Silvio Berluskoni në Itali, që përpiqet të fitojë kohë dhe të shmangë zgjedhjet, apo qeveria e Nikola Sarkozi në Francë.
I pyetur për Shqipërinë, presidenti i eurosocialistëve ka deklaruar se ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit, për të cilat është informuar më së miri nga kryebashkiaku i Tiranës dhe njëkohësisht kryesocialisti shqiptar, Edi Rama.
Kurse Masimo D’Alema, ka deklaruar, sic publikon edhe e përditshmja Eleftherotipia, se PSE mbështesin Ramën duke ndarë së bashku shqetësimet e tij dhe se në problemet shqiptare duhet një impenjim i institucioneve europiane, përderisa vendi është kandidat për integrim në BE. PSE, thotë D’Alema, shpreson në kryerjen e zgjedhjeve të drejta në Shqipëri.
Duke u larguar nga kryeqyteti grek Rasmusen ka theksuar se nuk duhet humbur shpresa dhe se në një botë kaq të pasigurtë, janë socialistët ata që do të japin përgjigjen e duhur.
Top Channel