Kapen prodhuesit e minave

06/03/2011 12:05

Dy persona që prodhonin në mënyrë artizanale mina me telekomandë duke përdorur aparat celularësh, u arrestuan gjatë mbrëmjes së të shtunës, gjatë një operacioni policor të koduar “Celulari”.

Artan Hasani, 38 vjeç, dhe Endri Hametaj, 28 vjeç, të dy banues në Rrugën e Elbasanit në kryeqytet, u ndaluan pasi dyshohen se në bashkëpunim edhe me persona të tjerë janë autorë të disa ngjarjeve të rënda të ndodhura në Tiranë, ku është përdorur shpërthimi në distancë i minave me telekomandë.

Dyshimi i ngritur nga krimet e rënda në Drejtorinë e Policisë së qarkut Tiranë, mbetet edhe për përdorim të këtyre minave me telekomandë në rrethe të tjera të vendit.

“Po ashtu nga këto shtetas dyshohet se realizohej edhe përdorimi i minave dhe bombave në mënyrë artizanale. Shtetasit e larpërmendur, dyshohet se janë autorë të disa atentateve të vendosjes së lëndës eksplozive me telekomandë, të ndodhura më parë në Tiranë. Pas një kontrollit të imtësishëm të realizuar në banesën e shtetasit Endri Hametaj, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një mini punishte e ndodhur në afërsi të rrugës së “Elbasanit” në Tiranë, e cila shërbente për prodhimin e minave me telekomandë përmes aparateve celularë. Aktualisht, strukturat e hetimit për krimet e rënda në Policinë e Tiranës, po bashkëpunojnë intesivisht në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me synim zbardhjen dhe dokumentimin e të gjitha ngjarjeve me lëndë shpërthyese e eksplozive të ndodhura më parë në Tiranë, apo qytete të tjera të Shqipërisë”, u shpreh Ama Katragjini, zëdhënëse e Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë.

Gjatë kontrollit të banesave u gjetën një sasi e konsiderueshme armësh luftarake, kapsolla elektro-detonatore, lëndë eksplozive
si edhe pajisje që ndihmonin në prodhimin e minave.

Policia ra në gjurmët e këtij grupi krejt rastësisht, pasi njëri prej tyre, Artan Hasani, tentoi të vriste me pistoletë bashkëpunëtorin e tij tre ditë më parë.

Gjatë kontrollit të banesave të tyre u zbulua edhe punishtja e prodhimit.

Top Channel