
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj deklaroi sot se brenda këtij viti do të përfundojë procesi i akreditimit të universiteteve publike e private në Shqipëri dhe ky proces do t’i besohet një agjencie të huaj me përvojë. (UPDATE)
Kjo deklaratë vjen një ditë pas intervistës së Rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule i cili ka kërkuar që procesi i akreditimit të bëhet nga një institucion i pavarur.
Por ndryshe nga kërkesa e Rektorit të universitetit më të madh publik në vend, ministri Tafaj përsëriti qëndrimin e tij se para akreditimit, universitetet publike e private do t’i nënshtrohen procesit të rankimit, renditjes sipas cilësisë dhe standarteve që ofrojnë.
“Ritheksoj se ky është një projekt që do t’i shërbejë në radhë të parë studentëve, por nuk është akreditim që është një projekt i dytë që do të ndodhë brenda këtij viti në bashkëpunim me agjenci të huaja dhe do të fillojë me institucionet e arsimit të lartë privat”, tha Tafaj.
Ministri Tafaj theksoi se brenda këtij viti është parashikuar të ketë rritje të re pagash për arsimtarët.
“Rritja e pagave ndodhi edhe në 2010, një vit jo i lehtë buxhetor. Edhe në këtë vit do të kemi sërish rritje të pagave të mësuesve dhe të pedagogëve. Akoma nuk kemi detaje, vjet kemi bërë rritje 5-7 përqind dhe besoj se këtë vit do të jetë më e madhe”, tha ministri Tafaj.
Këto deklaratat Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj i bëri gjatë një dalje për mediat ku uroi arsimtarët për festën e 7 Marsit.
Top Channel