Në Kosovë vazhdojnë debatet për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit Pacolli dhe votimin e tij për qeverinë e re pasi ishte zgjedhur president i vendit.
Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, hodhi poshtë pretendimet e Aleancës për Kosovën e Re, se këtë gjë presidentit ia kishte kërkuar pikërisht ai.
“Unë nuk e kam ftuar as në fund të seancës kur kam dashur t’i uroj Presidentit detyrën dhe kabinetit qeveritar bashkë nuk ka qenë. Kam thënë emrin e Presidentit por s’e ka ftuar për të votuar. Kjo është e vërteta, mund të shikohet edhe në filmime”, tha në një konferencë për mediat, kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Këto komente i bëri pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ku përfundimisht u vendos që organi përfaqësues i popullit të diskutojë të hënën bisedimet Kosovë-Serbi. Në këtë seancë pritet që Kuvendi të dalë me një rezolutë që do të përcaktojë kornizat e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Top Channel