Drejtuesja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri ka deklaruar se shtyrja e dialogut ka ardhur si pasojë e nevojës për ngritjen e institucioneve të reja.

Duke folur në një intervistë për VOA, Tahiri është shprehur se në procesin e ri të bisedimeve do të diskutohen vetëm cështje teknike.

“Ne do të shkojmë në bisedime si shtete të pavarura pasi për ne statusi është një cështje e mbyllur”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas saj, këtë tezë e ka mbrojtur edhe nënsekretari amerikan i Shtetit, Steinberg, i cili ka vizituar së fundmi Prishtinën.

Ajo e ka vlerësuar si të pamundur realizimin e synimit të Beogradit për të diskutuar sërish cështjen e statusit, pasi sipas saj një gjë të tillë nuk e mbështet faktori ndërkombëtar.

“Në bisedime do të jenë BE, SHBA dhe Beogradi me Prishtinën. Njëra palë nuk mund të imponojë e vetme temën e bisedimeve. Cështja e statusit është e përfunduar”, ka pohuar Tahiri.

Kryenegociatorja ka shtuar më tej se në procesin e ri nuk do të diskutohet as opsioni i përfolur për ndarjen e Kosovës, pasi veriu është pjesë e territorit të shtetit të ri.

“Nuk ekziston as cështja e veriut dhe as cështja e Mitrovicës. Ajo që ekziston është cështja e një pjese të serbëve që jetojnë në pjesën veriore, të cilët që nga paslufta kanë hezituar të bëhen pjesë e realitetit të Kosovës dhe ndikohen nga Beogradi”, ka shtuar Tahiri.

Top Channel