
Që prej konferencës së shtypit që shënoi fillimin e takimit dyditor të drejtuesve të partive të majta europiane në Athinë, kryetari i eurosocialistëve, Poul Rasmussen nuk ka ngurruar të kritikojë ashpër situatën e rënduar ekonomike në Europë, si rezultat i politikave të ndjekura nga konseravtorët.
Sipas tij, duhet që në samitin e ardhshëm të BE të vendoset reduktimi i përqindjes së borxhit për Greqinë dhe Irlandën, por njëkohësisht edhe të përforcohet mekanizmi i ndihmës ekonomike të BE.
“Besoj se Europa mund të merrte vendime gjeniale për një të ardhme më të mirë, me më shumë vende pune, me një zhvillim më të madh, me një ekonomi më të mirë. Besoj, por kam dyshimet e mia, se Këshilli Europian do të veprojë ndryshe sepse, sic ju thashë, ekziston një ndryshim politik midis rrugës sonë dhe rrugës së tyre”, ka deklaruar Rasmussen.
Rasmussen ka kritikuar shumicën e qeverive të djathta të BE, sidomos aksin franko-gjerman, për mungesë solidariteti ndaj shteteve anëtare që po përballojnë krizën e vështirë ekonomike.
“Ajo cka shohim në pjesën tjetër të Europës, shumica e saj dhe udhëheqja e Angela Merkel dhe e Nicolas Sarkozy, është një drejtim tjetër. Kështu që Greqia është në duart e duhura, ndërsa Europa në duart e gabuara”, ka theksuar Rasmussen.
Ndërsa kryeministri grek dhe njëkohësisht kryetari i Internacionales socialiste, Jorgos Papandreu, ka mbështetur plotësisht deklaratën e përbashkët të socialistëve europianë, që Europa mund të ndryshojë faqen e historisë së saj nese zbaton alternativën që i ofrojnë ata, sipas të cilës mund të hapen mbi 8 milionë vende pune.
“Shpresoj që kësaj here do të marrim vendime të rëndësishme në mënyrë që tregjet e Eurozonës të qetësohen dhe të mundemi që të gjithë së bashku të gjejmë një rrugë të re, të lëmë pas krizën dhe të gjejmë mundësitë për zhvillim dhe progres”, ka deklaruar Papandreu.
Kryeministri grek, në kuadrin e takimeve me udhëheqësit e majtë europianë, do të takohet në vecanti edhe me kryesocialistin Edi Rama.
Top Channel