
Euro i është rikthyer niveleve më të larta ndaj lekut duke kapërcyer sërish nivelin 140 lekë, i shndërruar tashmë në një kufi psikologjik, përtej të cilit nisin shqetësimet.
Sipas kursit zyrtar të bankës, një euro është këmbyer në fundjavë në tregun e brendshëm me 140.26 lekë, një ndër nivelet me të larta historike.
Ekspertët e Bankës së Shqipërisë i shohin lëvizjet e fundit në tregun valuator si normale dhe i lidhin shkaqet e tyre me zhvillimet në bursat ndërkombëtare.
Në tregjet e huaja valutore prej disa javësh euro po forcohet ndaj dollarit amerikan.
Në fundjavë, monedha europiane është shitur në tregjet e huaja me gati 1.4 dollarë amerikan, kur vetëm një javë më parë këmbëhej me 1.37.
Të dhënat tregojnë se këto lëvizje në tregjet e këmbimeve janë pasqyruar menjëherë edhe në tregun shqiptar.
Ndërsa leku po zhvlerësohet ndaj euros, e kundërta ndodh me dollarin. Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht një dollar kushton në treg tre lekë më pak se sa dy javë më parë.
Zhvlerësimi i lekut ndaj euros, në këtë pikë mund të jetë një shtysë për eksportet shqiptare.
Por në kushtet kur tregu kërcënohet nga rritja e cmimeve, që vjen nga jashtë, shtrenjtimi i euros mund të bëjë më shumë presion për rritje të inflacionit, për shkak se pjesa më e madhe e importeve të Shqipërisë blihen në monedhën europiane nga tregjet vendeve të BE-së.
Top Channel