
Duke filluar nga maji i këtij viti, gjithë emigrantët që disponojnë leje qëndrimi nuk do ta kenë më pullën e ngjitur në pasaportë.
Leja tradicionale do të zëvendësohet nga karta biometrike, e ngjashme me letërnjoftimet e reja me të cilat janë pajisur shtetasit shqiptarë.
Siç njofton gazeta “Tribuna”, dokumenti i ri do të quhet “karta e emigrantit”.
Ministri i Brendshëm grek, Janis Ragusis ka firmosur qarkoren përkatëse, e cila që nga data 15 shkurt u është dërguar të gjitha periferive të Greqisë, ku bëhet me dije se, “detyrimet e shtetit grek, siç burojnë nga rregulloret e Bashkimit Europian, imponojnë marrjen e menjëhershme të masave, të cilat do të sjellin ndryshime të rëndësishme në procedurën ekzistuese të pajisjes me leje qëndrimi të shtetasve nga vende të treta që ndodhen ligjërisht në vendin tonë”.
Në qarkoren e ministrit të Brendshëm theksohet se, proçesi i pajisjes me kartat e reja biometrike duhet të fillojë brenda datës 20 maj 2011 dhe se afati i aplikimit duhet të përfundojë një vit më pas, më 20 maj 2012.
Top Channel