
Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule ka theksuar se akreditimi i universiteteve publike dhe private është nje proces i rëndësishëm që duhet të kryhet nga një institucion i pavarur dhe i specializuar.
“Një agjenci e huaj dhe e besueshme për të bërë akreditimin jep shkallën e besueshmërisë, pasi institucionet e vendit e kanë të vështirë të përballojnë presionet subjektiviste. Kushdo duhet ta kuptojë që ky institucion, publik apo privat, i plotëson kushtet që ka arsimi”, ka deklaruar Kule.
Kule ka sqaruar se nuk mund të bëhet klasifikimi i universiteteve sic kërkon Ministria e Arsimit, pë u bërë akreditimi, i cili në bazë duhet të ketë disa kritere, sic është bërja publike e stafit të brendshëm të një fakulteti dhe të profesorëve dhe doktorëve që punojnë në të.
Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë Publike të Akreditimit, Agim Nesho, ka sqaruar se po punohet për miratimin e kritereve të akreditimit në komisionin i cili do të ketë edhe ekspertë të huaj.
“Do jenë edhe ekspertë nga universitetet evropiane që do të vlerësojnë bashkë me ekspertët shqiptarë sipas fushave. Kreditimi është një proces që kërkohet prej vitesh dhe duhet bërë”, ka nënvizuar Nesho.
Zoti Nesho ka theksuar se nuk ka asnjë ndryshim mes rankimit dhe akreditimit dhe ai mund të zhvillohet në një kohë. Por procesi i rankimit nuk është kundërshtuar vetëm nga Universiteti i Tiranës, por edhe nga dy universitete private në vend.
Top Channel