
Një muaj më parë Aurora Trashani u gjet e masakruar në mënyrë cnjerëzore në banesën ku jetonte me qera prej kohësh.
Por, pavarësisht se prokuroria dhe policia kanë të dyshuar si autor të krimit një person i cili është larguar jashtë vendit, ku dhe jeton, njëkohësisht një tjetër është arrestuar si bashkëpunëtor në vrasje.
I arrestuari me profesion taksist dyshohet se mbahet në qeli pa asnjë provë.
Ai është shtetasi Abedin Mulaj, 42 vjec nga Puka, që prej vitesh punon si taksist në Tiranë. Ai akuzohet si bashkëautor në vrasje, pavarësisht se në qëndrimin e saj para gjykatës, prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë për të.
Organi i akuzës argumenton se Aurora ka patur lidhje me një person, emrin e të cilit nuk mund ta bëjmë publik për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor.
Ky person është rezident në Gjermani. Vajza, sipas prokurorisë, e ka njohur partnerin e saj nëpërmjet FB dhe një muaj përpara se të vritej ajo ka vendosur t’i japë fund lidhjes.
Si provë mbi konfliktet mes Aurorës dhe partnerit të saj që jeton jashtë prokuroria ka një sërë mesazhesh mes tyre.
Por, ndërsa pret përgjigjjen e letërporosisë nga shteti gjerman për këtë person, në Shqipëri është arrestuar Abedin Mulaj, i cili e ka pritur atë në Rinas dhe e ka përcjellë më pas.
Ja se si e argumenton prokuroria qëndrimin e saj ndaj Mulaj, edhe pse nuk jepen të dhëna më të sakta sikundër ligji i kërkon vecanërisht kur një person akuzohet për vrasje. Aty vetëm shpjegohet roli i tij si taksist edhe pse Abedin Mulaj në fakt këtë profesion ka.
“I dyshuari ka ardhur në Shqipëri nga Rinasi një ditë para krimit dhe është larguar në 3 shkurt. Një ditë para ngjarjes i dyshuari, i cili jeton në Gjermani, i ka telefonuar Abedin Mulajt dhe i ka thënë ta priste në aeroport, kjo pasi ata kanë një njohje 4-5 vjecare. Abedin Mulaj ka shkuar në aeroport dhe ka marrë të dyshuarin për krimin. Mbrëmjen e kësaj dite i dyshuari i ka thënë taksistit të shkonte ta merrte pranë Zogut të Zi, vend në të cilin Abedini e ka pritur në makinë pothuajse 30 minuta”, thotë vendimi.
Pikërisht mbi këto rreshta, gjykata i ka dhënë Abedin Mulajt masën “arrest me burg pa afat”, edhe pse në asnjë rresht të këtij vendimi nuk saktësohet se përvec rolit të 42-vjecarit si taksist, cila është prova direkte që e dyshon atë mbi këtë krim.
Në trupin e Aurora Trashanit mjekësia ligjore evidentoi 60 plagë thike dhe dyshohet se vajza është qëlluar në castet kur i ka kthyer shpinën autorit të këtij krimi, i cili pasi e ka vrarë e ka mbuluar me batanije në krevatin e gjumit dhe më pas, për të fshehur gjurmët, e ka djegur, një mënyrë kjo për të mashtruar hetuesit që të dyshonin për rënie zjarri.
Top Channel