Vrasjet, Topi letër Obamës

04/03/2011 19:50

Vrasja e dy ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit nga një i ri me origjinë kosovare, ka sjellë një reagim të fortë dënues jo vetëm nga autoritetet e Kosovës, por edhe të Tiranës zyrtare.

Në një mesazh që i dërgoi presidentit amerikan Barack Obama, presidenti Bamir Topi e cilësoi jo vetëm si “makabër”, vrasjen e dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Por zoti Topi, thotë se ajo u krye nga një dorë kriminale dhe terroriste, që preku rëndë ndjenjat e kombit shqiptar dhe atij amerikan në një moment të shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Duke i shprehur presidentit Obama ngushëllimet më të sinqerta, presidenti Bamir Topi shpreh gjithashtu bindjen se drejtësia do të japë dënimin e merituar.

Një ditë më parë edhe kryeministri Sali Berisha, duke dënuar me rreptësinë më të madhe vrasjen e dy ushtarëve amerikanë, tha se ky ishte një akti i mirëfilltë antishqiptar dhe antikombëtar.

Duke shprehur ngushëllimet ndaj qeverisë amerikane, kryeministri Berisha vlerësoi se ky krim i shëmtuar kundër ushtarëve të ushtrisë së shkëlqyer amerikane që ka qenë përcaktuese për lirinë e shqiptarëve në Kosovë, është lëndim shumë i rëndë për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.

Ndërkohë, me anë të një deklaratë, “Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë thotë se akti i një individi të vetëm nuk mundet në asnjë mënyrë të ndikojë miqësinë e thellë dhe jetëgjatë midis dy vendeve tona dhe as marrëdhënien jashtëzakonisht miqësore dhe të afërt që popujt dhe qeveritë tona ndajnë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA