Islamisti kosovar, Arid Uka, u motivua nga videot e postuara në disa faqe islamiste, për të kryer krimin e shëmtuar të ditës së mërkurë.

E përditshmja amerikane “Time”, duke iu referuar burimeve policore gjermane, zbuloi pjesë nga bisedat e 21-vjeçarit kosovar në hetuesi, pasi ai vrau dy ushtarë amerikanë dhe plagosi dy të tjerë, në një sulm të armatosur jashtë aeroportit të Frankfurtit.

Gjatë pyetjeve, Uka i deklaroi policisë se vendosi të hakmerrej, pasi vetëm disa ditë më parë pa në një faqe islamike një video, të përshkruar si përdhunimin e një vajze të re në Afganistan prej disa ushtarëve amerikanë.

Sipas tij, imazhet i ngjallën një tërbim të tillë personal, sa që nuk mundi të qëndronte më duarkryq dhe të vazhdonte normalisht jetën e tij.

Uka, i përshkruar nga miqtë si një njeri i qetë dhe i shoqërueshëm, nuk kishte asnjë precedent penal dhe sapo kishte fituar një punë me orar të pjesshëm në aeroport.

Sipas prokurorisë gjermane, deri tani nuk ka të dhëna që të bëjnë të besosh se ai vepronte në kuadrin e një grupi terrorist.

Shqetësuese për hetuesit është fakti se i riu u radikalizua brenda shumë pak javësh, pas vizitimit të faqeve islamike në internet.

Si rrjedhojë e sulmit të Ukës, banesa e një imami maroken në Frankfurt u kontrollua. Ai besohej se kishte nxitur të riun kosovar në kryerjen e krimit, por asnjë akuzë nuk u ngrit pas kontrollit në shtëpi.

Top Channel