Topi: Do vazhdojmë reformat

04/03/2011 16:00

Presidenti i Repulikës, Bamir Topi ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Hungari, shteti që mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian, ku është takuar me udhëheqësit kryesorë të këtij vendi.

Zoti Topi është pritur fillimisht nga homologu i tij Pal Shmit, me të cilin ka diskutuar një sërë çështjesh që lidhen me bashkëpunimin ekonomik, por kryesisht me ndihmën që Hungaria mund t’i japë Shqipërisë në proçesin e integrimit.

“Shqipëria do të vazhdojë të ketë ndihmën e Hungarisë, sidomos kur Hungaria ka cilësinë e Presidencës së Bashkimit Evropian dhe besoj që kjo do të vijë në të gjitha fushat ku Shqipëria ka nevojë në rrugën e saj të integrimit evropian. E sigurova zotin president se Shqipëria do të vazhdojë me konsekuencë reformat demokratike dhe rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Sigurisht që Hungaria ka qenë një ndër vendet e para që ka njohur edhe pavarësinë e shtetit të ri të Kosovës”, është shprehur Topi.

Presidenti hungarez tha se vendi i tij e sheh me përparësi, axhendën integruese të Shqipërisë duke u shprehur optimist për këtë proçes.

“Një nga prioritetet e presidencës së Hungarisë në BE ishte integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Hungaria ka qenë një nga vendet më aktive që ka dhënë ndihmesën e saj duke negociuar për marrjen e statusit ose nënshkrimin e MSA-së të Shqipërisë. Gjithashtu, që ratifikoi regjimin e vizave dhe unë shikoj një shans vërtet realist, ndoshta jo gjatë presidencës hungareze, por ndoshta gjatë presidencës polake, që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat”, tha Shmit.

Presidenti, i shoqëruar në këtë vizitë nga zonja e parë Teuta Topi, por edhe një grup i madh biznesmenësh, është takuar edhe me kryeministrin hungarez, Viktor Orban dhe kryetarin e asamblesë kombëtare, Lazlo Këver.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA