“Mallkuar ai bir shqiptari, që këtë gjuhë të Perëndisë, amanet ia la i pari, amanet s’ia lë dhe fëmijës”. (UPDATE)

E nisi me vargjet e Gjergj Fishtës për gjuhën dhe kombin për të mbajtur më pas një ligjeratë para studentëve të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu foli gjatë para studentëve kosovarë për kombin shqiptar dhe përpjekjet e dështuara, siç tha ai, për ta bërë Shqipërinë shtet multietnik.

Nga ana tjetër duke e krahasuar situatën aktuale në Kosovë me atë të njëzet viteve më parë, Kreshnik Spahiu shprehu keqardhjen se shteti më i ri akoma mbetet gri në sytë e qytetarëve të saj.

Qytetarët siç tha ai ëndërrojnë një Kosovë europiane dhe për këtë porositi pushtetin që të mos harrojë themelet mbi të cilat ndërtohet shteti.

“E gjithë strategjia e ndërtimit të shtetit, duhet të bazohet mbi vlerat të cilat ka kombi, të cilat natyrisht e bëjnë dhe e frymëzojnë shoqërinë të prodhojë gjithmonë qeverisje më të mira. Qeverisje për një Shqipëri më të mirë, qeverisje për një Kosovë ndryshe. Nuk do dëshiroja kurrë të shikoja një Shqipëria dhe një Kosovë, siç kemi parë Gjermaninë Lindore dhe atë Perëndimores sepse nuk mund të jetë ashtu. Ka një kulturë, ka një gjuhë, ka një të ardhme. Është momenti që ndërgjegja kombëtare, të vihet në plan të ndërtimit të themelit të shtetit”, deklaroi Spahiu.

Zoti Spahiu u ndal edhe te proçesi i regjistrimit të popullësisë në Kosovë dhe Shqipëri.

Ai shpalosi edhe njëherë qendrimin e tij kundër pyetjeve për përkatësinë fetare apo preferencave politike.

“Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për një regjistrim popullsie, por natyrisht në Shqipëri në një vend unitar, nuk ka vend për regjistrim mbi baza etnike dhe fetare. Nuk ka vend që shteti të pyes nëse beson në Zot apo jo. Nuk ka vend që të pyes se cilit besim i përket. Besimi është një gjë që zgjidhet”, theksoi Spahiu.

Pjesë e auditorit ishin edhe tifozët kuq e zi, ndërsa studentët e juridikut u interesuan për përafrimin e legjislacionit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Lidhur me këtë çështje, zoti Spahiu hodhi idenë e mbajtjes së një konference të përbashkët me qëllim të krijimit të standardeve juridike të përafërta mbi të cilat do të ndërtohej shteti juridik.

Top Channel