Ambasadori evropian Piter Sorensen sot i dorëzoi letrat kredenciale presidentit Gjorgje Ivanov, duke nisur zyrtarisht misionin e tij diplomatik në Maqedoni.

Ai në fjalimin e tij në presidencë premtoi se personalisht do të investojë të gjitha përpjekjet e tij për realizimin e perspektivës evropiane të Maqedonisë.

“Do të investoj të gjitha përpjekjet dhe kapacitetet për të ndihmuar vendin tuaj në përpjekjet për të realizuar perspektivën evropiane. Gjithashtu, do të krijojmë edhe marrëdhënie sa më efikase me institucionet e BE-së”, deklaroi Sorensen.

Sipas tij, përkrahja e gjerë e qytetarëve të Maqedonisë për integrimin e vendit në BE është një përparësi e madhe në procesin eurointegrues.

Ndërsa presidenti Ivanov, nga ana e tij, theksoi se Maqedonia pret që me rastin e shënimit të 20-vjetorit të pavarësisë dhe 10-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit të nisë bisedimet për anëtarësim me BE-në.

Top Channel