Protesta e FRESSH kundër Bashës

04/03/2011 15:25

Për herë të dytë brenda pak ditësh forumi rinor socialist akuzoi direkt ministrin e Punëve të Brendshme, Lulzim Basha për vrasje të katër qytetarëve më 21 janar. (UPDATE)

Me pankarta në duar dhe një banderolë të madhe me imazhin e ministrit Basha ku shkruhej “Ik vrasës!”, të rinjtë u tubuan përpara Ministrisë së Punëve të Brendëshme.

Për të rinjtë socialistë, emri i Lulzim Bashës është i lidhur fort me atë të kryeministrit Sali Berisha.

“Jemi mbledhur për t’i dhënë një mesazh të qartë të gjithë atyre që na dëgjojnë për ministrin më të dyshimtë që ka lindur ndonjëherë në qeverinë shqiptare, i cili quhet Lulzim Berisha”, ka deklaruar një protestuese.

“Motoja juaj e duarve të pastra është lyer me gjakun e qytetarëve të pafajshëm”, shtoi një tjetër.

Në fillim të rinjë ishin shprehur të gatshëm ta zhvillonin këtë protestë deri në mesnatë.

“Ne të rinjtë nuk duam të qeverisemi nga njerëz si ty dhe jemi shumë të vendosur deri në momentin që do të japësh dorëheqjen, të jemi këtu, ditë edhe natë”, tha një e re.

Por pas dy orësh protestuesit u shpërndanë paqësisht. Ndërkohë kjo protestë nuk ishte i vetmi reagim ndaj ministrit Basha.

Nga selia e partisë, anëtarja e Asamblesë Kombëtare Megi Ajtyresa tha se me votën kundër ministrit Basha për Bashkinë e Tiranës, kryeqytetasit do t’i tregojnë vendin kryeministrit Berisha.

Pak përpara fillimit të protestës ra në sy shtrëngimi i duarve i ambasadorit amerikan Arvizu me forcat e policisë. Ambasadori kishte dalë nga Galeria e Arteve aty pranë dhe kureshtar, kishte pyetur për tubimin e forcave të rendit. Pasi mësoi se ishin aty për protestën, zoti Arvizu u largua në këmbë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA