Do të duhen të paktën edhe 10 ditë që mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim të përfundojë dhe më pas të bëhet zyrtare marrëveshja për zgjedhjet lokale. (UPDATE)
Aktualisht palët janë në negociata për të vendosur cilat do të kenë zonat e lira që do të marrë LSI-ja, në varësi të mbështetjes që të dyja palët gjykojnë se ka kandidati i saj në bashkinë apo komunën përkatëse.
E konfirmuar është se nga 12 bashkitë, qendër qarku, LSI-ja do të ketë Elbasanin me kandidat Durim Hushin, si dhe do të ketë edhe disa bashki të tjera të nivelit të dytë dhe të tretë, që ende nuk janë mbyllur.
Në vlerësimin e sekretarit të pergjithshëm të LSI-së, Luan Rama, negociatat po ecin në mënyrë konstruktive dhe kanë për qëllim të ofrojnë kandidatët më të mirë për të siguruar fitoren e koalicionit qeveritar në zgjedhjet e 8 majit.
“Më lejoni të theksoj se i gjithë ky process negociatash dhe konsultimesh është jo vetëm luajal dhe konstruktiv, por i orientuar pikë së pari drejt interesave të qytetarëve, i orientuar në atë që të na çojë te zgjedhja e kandidatëve fitues, të na çojë tek emri më i mirë që ofron natyrisht edhe programin më të mirë në shërbim të komunitetit ku do të votohet dhe që së bashku të garantojmë fitoren e koalicionit të integrimit europian edhe në zgjedhjet e 8 majit”, është shprehur sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.
Nga tjetër, si aleati kryesor, Partia Demokratike, duke patur të njëjtin qëllim, synon gjithashtu që në çdo bashki dhe komune të garojë me të gjitha partitë që aktualisht formojnë koalicionin, për të mos humbur asnjë votë nga aleatët, sado të vegjël, për shkak edhe se çdo votë është e vlefshme për ndarjen e mandateve të këshilltarëve bashkiake dhe komunale.
Nga emrat e njohur në nivel kombëtar të demokratëve janë konfirmuar jo zyrtarisht si kandidate dy prej tyre, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha për Tiranën dhe ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj për Durrësin.
Çka do të thotë se me regjistrimin zyrtar, që të dy duhet të heqin dorë nga mandati i deputetit.
Top Channel