
Opozita në Kosovë akuzoi qeverinë se nuk po bën transparent procesin e përgatitjes për bisedimet me Serbinë. (UPDATE)
Takimi i parë për bisedimet mes delegacionit të Kosovës dhe të Serbisë do të mbahet më datë 8 mars. Lajmin e ka bërë publik për mediat, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi i cili ka saktësuar se ky takim do të mbahet në Bruksel me pjesëmarrjen e zyrtarëve të Bashkimit Europian që përfaqësohet nga lehtësuesi i dialogut, Robert Kuper.
Sipas Rexhepit në takim do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të SHBA-së. Ai nuk ka treguar për cështjet që mund të bisedohen në takimin e parë, por është shprehur se më shumë do të jetë takim për formatin që do të kenë bisedimet në ta ardhmen.
Ndërkohë, deputetët e Vetëvendosjes kërkuan një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit, por kryesia e hodhi poshtë kërkesën duke thënë se seanca do të zhvillohet ditën e hënë.
Përvec debatit parlamentar, Vetëvendosje paralajmëroi edhe thirrjen e popullit në demostrata.
Duke kritikuar qeverinë për mungesë transparence, deputetët opozitarë, që bëjnë edhe shumicën e deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Kosovës, thonë se për gjithcka rreth këtij procesi janë informuar nga mediat.
LDK vlerëson se Kosova me këto bisedime po i siguron Serbisë biletën për në Bashkimin Europian.
“Kërkojmë seancë të vecantë ku do të kornizohen bisedimet me Serbinë”, deklaron kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.
“Cfarëdo bisedimesh janë jolegjitime, janë jo të drejta dhe nuk e përfaqësojnë interesin e shumicës së qytetarëve të Kosovës nëse nuk kalojnë nëpër Kuvendin e Kosovës”, deklaron kryetari i grupit të AAK-së, Ardian Gjini.
Seanca nisi me 1 minutë heshtje për nderimin e dy ushtarakëve amerikanë të vrarë në Frankfurt të Gjermanisë nga një shtetas kosovar. Kuvendi më tej miratoi buxhetin vetëm për muajin mars. Më pas kryeministri Thaci njoftoi deputetët se ka emëruar zv/kryeministren, Edita Tahiri për udhëheqjen e bisedimeve me Serbinë dhe për këtë kërkoi mbështetjen e Kuvendit.
Top Channel