Ministria e Punëve të Brendshme kosovare ka pranuar vlerësimet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit se Kosova vazhdon të jetë një vend tranzit i drogës.
Nëpërmjet një komunikate për shtyp Ministria e Brendshme ka thënë se do të rishikojë strategjinë nacionale për lëndët narkotike duke u fokusuar në parandalimin e ofertës, kërkesës dhe trajtimit të personave të varur nga përdorimi i substancave narkotike.
“Luftimi i Krimit të Organizuar në përgjithësi dhe i narkotikëve në veçanti kërkon një bashkëpunim të ngushtë rajonal dhe ndërkombëtar. Si rjedhojë, Ministria e Brendshme dhe Policia e Kosovës janë partnerë të rëndësishëm në një varg të projekteve të karakterit rajonal”, thuhet në komunikatë.
Ministria e Brendshme ka publikuar punën e policisë në luftimin e narkotikëve gjatë tri viteve të fundit.
Në krahasim me dy vitet paraprake, në 2010-tën janë arrestuar gjithsej 463 persona dhe për 292 prej tyre janë ngritur kallëzime penale. Të gjitha këto janë kryer në 124 operacione të ndara.
Policia, thuhet në komunikatë, gjatë vitit 2010 ka identifikuar 18 grupe kriminale që veprojnë në Kosovë, gjashtë të tjera janë grupe kriminale, por që u përkasin rrjeteve ndërkombëtare.
Top Channel