Athina zyrtare ka reaguar pas njoftimit për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë për në vjeshtë.

Gjatë informimit të përjavshëm që ka me gazetarët e akredituar pranë Ministrisë së Jashtme greke, zëdhënësi i saj Grigoris Delavekuras përcolli shqetësimet e lindura nga një vendim i tillë.

“Qeveria shqiptare – tha ai – ka ngritur pretendimet se regjistrimi në prag të zgjedhjeve lokale të 8 majit do të krijojë probleme dhe polarizime të situatës. Por dua të theksoj se zhvillimi i këtyre zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, ishte diçka e parashikuar dhe jo emergjente. Ne jemi të shqetësuar për faktin se qarqe ekstremiste, por për fat të keq edhe funksionarë shtetërorë, të cilët janë kundër kësaj proçedure, e kanë përcjellë shtyrjen e regjistrimit si fitore të tyren”.

“Vlen të përmendet, vazhdon zëdhënësi, se këto grupime janë shprehur kundër vendosjes në pyetësor të pyetjes për gjuhën, origjinën, besimin fetar etj. Kjo, na bën të jemi skeptikë për shkaqet e vërteta të shtyrjes së regjistrimit të popullsisë. Përgjigjia e pyetësorit që i përket fesë, gjuhës dhe të tjera, është vullnetare dhe jo detyruese”.

Athina për momentin është e kënaqur nga shpjegimet e palës shqiptare dhe ministrit përgjegjës për këtë, të cilët kanë premtuar mbarëvajtje të proçesit në kohën që ai do të kryhet, por dhe me pyetesorin që është vendosur fillimisht.

Delavekuras kujtoi se mbajtja e proçesit të regjistrimit brenda vititi 2011 është detyrë që Bashkimi Europian i ka vënë Shqipërisë, në mënyrë që të plotësohet prej qeverisë së saj kriteri i regjistrimit të saktë të minoriteteve.

“Regjistrimi i popullsisë në bazë fetare, gjuhësore, kombësie duhet që të kryhet në kohë dhe në kushte qetësie dhe kjo vlen për të gjithë minoritetet përfshirë patjetër edhe atë grek, përfundoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke.

Top Channel