Familjarët e 21-vjecarit Arid Uka, që akuzohet për vrasjen e dy ushtarakëve amerikanë në Gjermani, shprehen se janë të shokuar për ngjarjen. Ata tregojnë se i riu ishte një mysliman i devotshëm dhe i qetë.

Xhaxhai tregoi se gjyshi i Aridit ishte hoxhë në xhaminë e një fshati
pranë Mitrovicës. Ndërsa i biri, Bexheti, tha se pasi ishin kontaktuar
nga policia e Kosovës, kishte folur disa herë me të atin e 21 vjeçarit,
sipas të cilit e vetmja gjë që dinte, ishte se i biri nuk ishte kthyer
në shtëpi prej së mërkurës.

Ministri i Brendshëm gjerman i landit të Hesës, Boris Rein tha se në këtë fazë të hetimeve nuk mund të thuhet nëse incidenti është i lidhur me terrorizmin.

Ngjarja ndodhi të mërkurën në një autobus, në të cilin ndodheshin trupat amerikane, në Terminalin dy të Aeroportit të Frankfurtit.

Dy prej tyre humbën jetën, ndërsa dy të tjerë u plagosën, njeri prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Zëdhënësi i Forcave Ajrore Amerikane për Europën tha se viktimat dhe të plagosurit ishin pilot.

Ata ishin stacionuar në bazën e Ramshtajnit nga ku do të zhvendoseshin për një operacion ndërkombëtar, pa dhënë detaje të tjera.

Vrasjet u dënuan nga presidenti amerikan Barak Obama që u shpreh i indinjuar për humbjen e jetëve.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të mësuar hollësitë e incidentit dhe do të punojnë me autoritetet gjermane për të çuar shkaktarët para drejtësisë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi shprehu keqardhjen e thellë për incidentin dhe tha se autoritetet e Kosovës po bëjnë hetime.

Robert Pein, zëdhënësi ndërkombëtar i FraPort, pronar dhe administrator i Aeroportit të Frankfurtit, tha se autoritetet federale gjermane do të marrin të gjitha masat e duhura për sigurinë e aeroportit, si rezultat i incidentit.

Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu ngushëllimet e saj për viktimat dhe familjet e tyre, duke thënë se qeveria do të bëjë ç’është e mundur për të zbuluar çfarë ka ndodhur.

Ushtria amerikane ka disa baza në Gjermani, duke përfshirë bazën ajrore të Ramshtajnit afër Frankfurtit.

Top Channel