Hetuesit gjermanë deklarojnë se vrasja e ushtarakëve amerikanë në Frankfurt ka sfond islamik. Ministri i Brendshëm tha se të dhënat e mbledhura për 21 vjecarin me origjinë nga Kosova, tregojnë se ai është një musliman radikal, me emrin e luftëtarit islamik Abu Rejan.

Drejtimin e hetimeve e ka marrë përsipër tashmë Prokuroria Federale. Shefja e saj, Monika Harms citohet nga DË se dyshimet kryesore janë ato të një vepre me motive islamike. Paraditen e së premtes thotë ajo do të mbahet një konferencë shtypi ku do të bëhen publike rezultatet paraprake të hetimit, për të cilat autoritetet gjermane po mbështeten edhe nga zyrtarët amerikanë.

Ambasadori i SHBA-së në Gjermani u shpreh thellësisht i tronditur nga ngjarja e rëndë.

“Ishte absolutisht shokuese, ngjarje për të cilën nuk ka fjalë. Burra dhe gra të pafajshëm të cilët janë duke i shërbyer vendit të vet, sulmohen në mënyrë krejt absurde. Një sulm i pashpjegueshëm që shkakton dy të vdekur e dy të plagosur. E gjithë kjo është tronditëse”, thotë ambasadori amerikan në Gjermani, Philip Murphy.

Sipas Ministrit të Brendshëm të landit të Esenit ku ndodhet edhe aeroporti i Frankfurtit, 21 vjecari e ka pranuar tashmë vrasjen. Boris Rhein e cilësoi incidentin vecanërisht lëndues për faktin se aleati më i ngushtë i Gjermanisë u godit brenda territorit të saj.

“Agresori tashmë nuk ka dyshime, është një 21 vjecar nga Kosova dhe për sa di unë ai e ka pranuar hetimin. Të dhënat që kemi mbledhur nga interneti dhe burime të tjera tregojnë se jemi përballë një muslimani radikal. Besoj se emri i tij prej luftëtari islamik është Abu Rejan”, deklaron ministri Borsi Rhein.

Pas atentatit të së mërkurës qeveria federale vendosi kontrolle dhe praninë në aeroportin e Frankfurtit, por Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Hans Peter Frideriech nuk e siguron si të nevojshme rritjen e masës së sigurisë në të gjithë vendin.

Top Channel