Prokurorët gjermanë po përqendrohen në pistën e terrorizmit islamik, në rastin e kosovarit të arrestuar pas vrasjes së dy ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit, raporton sot “Die Welt”.

Sipas kësaj gazete, Arid Uka ishte betuar që të “vriste të pabesët, në kuadër të një lufte të shenjtë personale”, ndërsa “Frankfurter Allgemaine” shkruan se qëllimi i 21-vjeçarit ishte të kryente një masakër të vërtetë, duke vrarë sa më shumë persona.

I riu i konsideruar si një “musliman i devotshëm” nga familja e tij në Mitrovicë u kap në flagrancë, pasi qëlloi ndaj një autobuzi që transportonte pilotë amerikanë të bazës së Ramsteinit. Përveç dy viktimave, dy ushtarë të tjerë mbetën të plagosur.

Njëri prej tyre është në gjendje kritike, pasi ka marrë një plumb në kokë, ndërsa viktima e katër raportohet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja e rëndë u dënua ashpërsisht nga presidenti Obama, kancelarja Merkel dhe Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi.

Top Channel