Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka shprehur miratimin e tij që cështjet që kanë të bëjnë me bisedimet me Serbinë të kalojnë përmes Kuvendit të Kosovës.

Duke folur në mbledhjen e qeverisë së tij, Thaci ka theksuar se nuk do të flitet për cështjen e kufijve dhe ka shprehur bindjen se procesi i ri i negociatave do të mbyllë përfundimisht armiqësitë mes dy vendeve.

“Do të përqendrohemi tek cështjet praktike, tek lëvizja e lirë e qytetarëve në rajon, tek qarkullimi i mallrave, regjistrat civilë dhe kadastralë, si dhe cështje të tjera”, ka pohuar Thaci.

Ndërsa zëvendëskryeministri Hajredin Kuci ka deklaruar se ende nuk dihet me saktësi se kur do të fillojnë bisedimet, pasi axhenda do të përcaktohet pas koordinimit me SHBA dhe BE.

“Kosova nuk i frikësohet dialogut me Serbinë. Madje, pas këtij procesi ajo do të dalë fituese”, ka pohuar Kuci.

Ndërkohë, lidhur me këtë cështje, kryenegociatorja Edita Tahiri zhvilloi sot një takim me të dërguarin e BE, Robert Cooper, i cili vlerësoi se përgatitjet për dialogun janë në rrugën e duhur.

Top Channel