Situata në Libi mund të degjenerojë në luftë civile, nëse koloneli Muammar Gaddafi vazhdon të mbetet në pushtet, paralajmëruan sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lajmi i publikuar gjatë pasdites nga “Associated Press” iu referua raportit që Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, po përgatit për t’i dorëzuar Senatit, rreth situatës së krijuar në Libi.
Në raport, shkruhet se “ekziston një rrezik real që situata të degjenerojë në luftë civile”.
Ndërkohë, presioni mbi Gaddafi-n duket se është në rritje, pas raportimeve për përgatitje ushtarake të vendeve perëndimore, për të ndërhyrë ndaj vendit afrikan, në mënyrë që të largojnë nga pushteti diktatorin.
Djali i Gaddafi-t, Saif al-Islam, iu përgjigj një ditë më parë spekulimeve për një ndërhyrje ushtarake nëpërmjet një deklarate të dhënë për “Sky”.
”Përdorimi i forcës është i papranueshëm”, deklaroi ai. “Nuk ka arsye për këtë, por nëse duan, ne jemi gati dhe nuk kemi frikë. Ne jetojmë këtu dhe do të vdesim këtu”.
Deklaratave të fuqishme të vendeve perëndimore i janë bashkuar në këtë krizë edhe zërat e Kremlinit, me Ministrin e Jashtëm Rus, Lavrov, që e ka konsideruar Gaddafi-n si një “kufomë politike”.
Top Channel