Libi, pas Bengazit çlirohet edhe Zavija

01/03/2011 15:35

Banorët e qytetit të Zavijës i ofruan ushqime dhe pije luftëtarëve opozitarë, ndërsa qyteti i ndodhur pranë Tripolit ra në duart e protestuesve.

Sipas “Associated Press”, qytetarët falenderonin Allahun për këtë fitore të shkëlqyer, në një parade në rrugët kryesore të Zavijës.

Një kolonel ushtarak, i cili u parashutua nga avioni, për të mos bombarduar protestuesit, mbahej në krah si një hero.

Pas luftimeve 2-ditore me trupat e Gaddafi-t, trupat rebele fituan kontrollin e plotë mbi qytetin. Tashmë, ata po përkujdesen që të fortifikojnë qytetin, nga frika e një kundërsulmi qeveritar.

Sipas korrespondentëve të mediave ndërkombëtare, rebelët janë të pajisur me armë të rënda dhe të lehta, artileri, mitrolozë, antiajrorë dhe disa tanqe.

Nuk dihet se cila ishte kosto në jetë e marrjes së qytetit. Gaddafi ka fortifikuar zonat pranë kryeqytetit, ndërsa një ditë më parë, ai u duk tërësisht i shkëputur prej realitetit, ndërsa theksoi se të gjithë libianët e duan dhe e mbështesin.

Ai akuzoi perëndimin për dëshirën e tyre për t’a shndërruar Libinë në një koloni. Disa mijëra persona kanë humbur jetën ndërsa UNHCR raporton për mbi 110 mijë emigrantë lufte.

Top Channel