Mbi 50 emigrantë u dërguan gjatë pasdites në spitalet greke, si rrjedhojë e gjendjes së tyre tepër të dobët shëndetësore, pas pothujse pesë javësh në grevë urie.

Më shumë se 280 emigrantë u futën në një grevë urie në fundin e janarit në Athinë dhe Selanik, duke i kërkuar autoriteteve helene që t’i pajisnin me leje qëndrimi.

Sipas mediave greke, disa prej emigrantëve kanë pësuar kolaps të veshkave.

Shumica e emigrantëve janë nga Afrika e Veriut dhe gjendja e tyre u bë veçanërisht shqetësuese në ditët e fundit, pasi ata vendosën të përshkallëzonin grevën duke hequr dorë edhe nga lëngjet.

”Nuk ka më kohë për të shtyrë negocimet, pasi deri nesër, njëri prej tyre mund të jetë i vdekur”, deklaroi Stratis Plomaritis, një mjek në qytetin e dytë më të madh grek të Selanikut.

Më shumë se 350 mijë emigrantë ekonomikë ndodhen në Greqi pa leje qëndrimi, prandaj nuk kanë akses ndaj shërbimit shëndetësor dhe as nuk mund të sigurohen.

Megjithatë, numri i emigrantëve të papunë është rritur ndjeshëm në vitet e fundit, për shkak të krizës së thellë ekonomike me të cilën përballet vendi.

Top Channel