Ish-kryeprokurorja e gjykatës së Hagës, Carla del Ponte ka deklaruar se do të dëshironte dhe se është e gatshme të hetojë akuzat për trafik organesh në Kosovë, të ngritura në raportin e senatorit zviceran Dick Marty.

Në një intervistë për një të përditshme zvicerane, Del Ponte është shprehur se tani duhet të ngrihet një institucion i pavarur ndërkombëtar që të jetë përgjegjës si për hetimin, edhe për mbrojtjen e dëshmitarëve.

“Mua personalisht do të më interesonte që të merrja përsipër hetimet në Kosovë, por shoh që për këtë cështje nuk ka menduar askush. E njoh mirë dosjen në fjalë dhe lidhjet dhe kjo gjë mund të bëhet shpejt”, ka deklaruar Del Ponte.

Ish-kryeprokurorja ka nënvizuar se në këtë drejtim do të shihet vullneti politik i BE dhe gatishmëria e SHBA për të mbështetur hetimet.

Nga ana tjetër, Del Ponte ka pranuar se lidhur me këto akuza ka pasur pak dëshmi për të ngritur një akuzë, por ka nënvizuar se të dhënat që zotëronin ishin serioze.

Top Channel