Ndërsa situata në Libi përkeqësohet, emri i kolonelit Muammar Gaddafi figuron gjithmonë e më shumë në mediat ndërkombëtare.
Megjithatë, ajo që shpesh herë nuk thuhet, është që ai e qeveris vendin nëpërmjet lidhjeve të ngushta familjare.
E përditshmja franceze “Le Monde”, publikoi një listë të asaj që është familja e diktatorit libian.
Muhammad Gaddafi – Djali më i madh i diktatorit, Muhammad është kryetari i Komitetit Olimpik Libian dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë së Postës e Telekomukacionit.
Saif al-Islam Gaddafi – Djali i dytë i Muammar-it, 38-vjeçari shihet si personi më i moderuar brenda sistemit. Ai u largua nga vendi në 2006-n, pasi foli keq kundër regjimit të babait, por u rikthye në Libi, duke theksuar se nuk ka si qëllim të pasojë babain.
Ai ka një doktoraturë nga Universiteti i Londrës, ndërsa është paraqitur disa herë në televizion për të qetësuar situatën, duke premtuar reforma të rëndësishme ekonomike.
Ayesha Gaddafi – Vajza e vetme e 67-vjeçarit, një avokate e sprovuar, ajo ishte pjesë e ekipit mbrojtës të Saddam Hussein-it në procesin ku ai u dënua me vdekje në 2004-n.
Hannibal Gaddafi – Fillimisht punoi në Ministrinë e Naftës, por u largua për shkak të problemeve ligjore. Në 2005-n, ai u akuzua se rrahu të dashurën shtatzanë në Paris dhe tre vjet më vonë u arrestua në Gjenevë për rrahjen e dy shërbëtorëve.
Që prej incidentit, Libia ka bojkotuar të gjithë produktet zvicerane, ka penguar kompanitë e këtij vendi që të bëjnë biznes në vend dhe ka tërhequr përfaqësinë e saj diplomatike nga Berna.
Khamis Gaddafi – Një drejtues i lartë policie, besohet se Khamis udhëhoqi një prej sulmeve mbi popullsinë e paarmatosur në Bengazi.
Mutassim Gaddafi – Djali i pestë është një këshilltar aktual i Sigurisë Kombëtare dhe drejtues i një njësie në ushtrinë libiane.
Mutassim qëndroi pesë vjet në Egjipt, pasi u besua se tentoi të udhëhiqte një grusht shteti ndaj babait të tij, përpara se të rikthehej dhe të merrte detyra zyrtare.
Saif al-Arab Gaddafi – Dihet pak për jetën e Saif al-Arabit. Në vitin 2008, “Daily Telegraph” raportoi se makina e tij ishte konfiskuar nga policia gjermane, pas ishte përfshirë në një aksident.
Milad Abuztaia Gaddafi – Djali i adoptuar i Muammar-it, vlerësohet si personi që i shpëtoi jetën babait të tij, gjatë bombardimit amerikan të vendnodhjes së diktatorit në vitin 1986, sulm ku ai humbi vajzën e tij 15-muajshe Hannah.
Saadi Gaddafi – Një ish-futbollist, Saadi drejton aktualisht Federatën Libiane të Futbollit dhe është përfshirë edhe në industrinë e filmit si një producent. Ai është një biznesmen i rëndësishëm dhe i martuar me vajzën e një komandanti ushtarak.
Top Channel