Britania e Madhe do të ndalojë ndihmën e saj direkte ekonomike për Kosovën, si pjesë e një strategjie të re për shpërndajen e buxhetit prej 7,8 miliardë paundësh në vit.

Siç raportoi BBC gjatë drekës, një strategji e re do të ndiqet për mënyrën se si do të shpërndahen paratë e ndihmës ekonomike në botë, të cilat do t’i adresohen vendeve të reja më të varfëra apo me probleme të theksuara nga lufta.

Kosova është pjesë e listës së 16 vendeve që do të humbin ndihmat e drejtëpërdrejta ekonomike. Në të njëjtën listë ndodhet edhe Bosnja, Serbia apo Moldavia, përbeç Kinës dhe Rusisë, si dy vende të mëdha.

Si rrjedhojë, ndihma do të “fokusohet më mirë” në shtete si Bangladeshi, Nigeria dhe Pakistani, të cilët do të gëzojnë një rritje të ndjeshme të buxhetit që Britania shpenzon në këto vende, në formë projektesh për të ndihmuar pjesët më të varfëra të shoqërisë.

Sipas Departamentit në Ministrinë e Jashtme që merret me shpërndarjen e këtyre fondeve, rishpërndarja do të ndihmojë për t’i shërbyer më mirë interesave kombëtare të Britanisë dhe për të shpëtuar më shumë jetë njerëzish.

India, Etiopia dhe Bangladeshi janë tre vendet kryesore që përfitojnë prej ndihmës ekonomike britanike.

Top Channel