Një vendim i Gjykatës Supreme të Kosovës, që i hap udhë privatizimit të gjigantit metalurgjik Trepca në Kosovë, ka nxitur reagimin e Këshillit koordinues të sindikatave të pavarura të Trepcës në Mitrovicë.

Vendimi për vendosjen e një administratori mbi ndërmarrjen Trepca quhet arbitrar, absurd e anakronik dhe si i tillë është i papranueshëm për gjithë punëtorët e Trepcës, andaj kërkohet me ngulm që gjykata ta shfuqizojë  atë.

Kjo edhe për shkak se, sic thuhet në komunikatë, në dy vjetët e fundit gjendja në ndërmarrjen Trepca ka ndryshuar për të mirë në të gjitha aspektet.

Është shtuar nxjerrja e metaleve dhe janë përmirësuar kushtet e punës së punëtorëve, ndërkohë që miniera ka aplikuar teknologji të reja dhe janë përgatitur shumë punishte për punë.

Punëtorët e Trepcës shprehen të habitur se si një gjykatë merr vendime për fatin e një gjiganti, duke u bazuar në rregulloren e UNMIK-ut 2005/48, në kohën kur Kosova ka tre vjet që është shtet, ka Kushtetutën e vet, Kuvendin, qeverinë dhe gjithë mekanizmat e tjerë shtetëformues.

Këshilli koordinues i sindikatave të pavarura të Trepcës konsideron se vendimi i gjykatës është në kundërshtim me interesat e punëtorëve të Trepcës, dëmton rëndë ekonominë e brishtë të Kosovës, prandaj do të kundërshtohet me forcë dhe si e tillë nuk do të pranohet kurrë.

Në këtë kuadër ftohet Dhoma e Vecantë e Gjykatës Supreme, që këtë vendim ta anulojë dhe të marrë vendime konform realitetit të ri që është krijuar në ndërmarrjen Trepca, por edhe në Republikën e Kosovës.

Top Channel