Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka deklaruar se objektivi parësor i qeverisë së dytë të drejtuar prej tij do të jetë e ardhmja evropiane.

“Mandati i dytë do të jetë mandati i Kosovës evropiane, reformave demokratike, zhvillimit të spektrit politik dhe institucional. Kemi një përkushtim maksimal të institucioneve, presidentit, kuvendit por edhe qeverisë dhe kam besim të plotë në suksesin e ri”, ka pohuar Thaci.

Duke folur në një intervistë për VOA, Thaci ka komentuar edhe kundërshtitë në radhët e partisë së tij për zgjedhjen e presidentit, duke i vlerësuar si dicka normale në një demokraci.

“Demokracia është dicka që mund dhe duhet të ketë ballafaqim idesh dhe alternativash. Sot Kosova ka një qeveri të qendrueshme, me vizion evropian, por edhe kundërshtime nga ana e opozitës, gjë që rrit vlerat e Kosovës”, është shprehur Thaci.

Thaci ka refuzuar të komentojë zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar atë si një cështje proceduriale, por ka theksuar se institucionet e reja të Kosovës janë tërësisht legjitime.

“Ato janë cështje proceduriale të Kuvendit, por theksoj se institucionet kanë legjitimet të plotë qytetar dhe ligjor. Gjithcka që ka legjitimitet është e pranueshme edhe për qytetarët e Kosovës, si dhe Uashingtonin e Brukselin”, ka nënvizuar Thaci.

Më tej kryeministri ka shtuar se prioritete të tjera do të jenë vendosja e ligjit dhe konsolidimi i institucioneve, ndërkohë që ka rikonfirmuar qëndrimin se veriu është pjesë e pandashme e Kosovës.

Top Channel