Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se Kuvendi duhet të miratojë një rezolutë në bazë të të cilës të përcaktohen temat e bisedimeve me Beogradin.

“Pas formimit të komisioneve unë shpresoj se do të jetë kërkesë e grupeve të mazhorancës, por sidomos atyre të opozitës, për të diskutuar mbi cështjen e bisedimeve. Mendoj se Kuvendi duhet të nxjerrë një rezolutë e cila të vendosë se cfarë duhet dhe nuk duhet të bisedohet”, ka pohuar Krasniqi.

Sipas mediave kosovare, edhe opozita vlerëson se gjithcka që u takon bisedimeve duhet të kalojë përmes Kuvendit, pasi në rast të kundërt ato do të dështonin.

“Dialogu me Serbinë nuk është prioritet për Kosovën sot dhe unë mendoj se nuk duhet të jetë as prioritet i qeverisë. Prandaj është Kuvendi që të diskutojë për prioritetet e qeverisë, sepse është Kuvendi ai që e mbikëqyr qeverinë në të gjitha nivelet e politikave, qoftë të brendshme, qoftë të jashtme”, ka deklaruar Sabri Hamiti, nënkryetar i Kuvendit nga radhët e LDK-së.

“Në këtë rast nuk mund të ketë kurrfarë bisedimesh që nuk kalojnë nëpër Kuvendin e Kosovës. Në cilindo variant, edhe axhenda e bisedimeve, edhe gjithë ato që do të mund të trajtoheshin në bisedime, si dhe vetë fakti a do të shkojmë në bisedime apo jo, duhet të kalojnë nëpër Kuvendin e Kosovës. Cfarëdo rruge tjetër mendoj se nuk ka legjitimitet popullor në Kosovë dhe është e destinuar të dështojë që në fillim”, është shprehur Ardian Gjini, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërsa Vetëvendosje është shprehur pak më e ashpër në qëndrimin e saj. “Lëvizja Vetëvendosje konsideron se këto negociata, përvec se janë të padrejta, përvec se janë asimetrike, janë edhe negociata të rrezikshme për shkak se synojnë ta shndërrojnë Kosovën në një vend i cili kurrë nuk do të mund të funksionalizohet dhe synojnë ta shndërrojnë Kosovën në një vend i cili kurrë nuk do të mund të arrijë që ta shtrijë sovranitetin e vet institucional në tërë territorin”, ka pohuar Visar Ymeri, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Kryeministri Hashim Thaci tashmë ka caktuar zëvendëskryeministren Edita Tahiri si kryesuese të delegacionit të Kosovës. Po ashtu edhe pala serbe ka caktuar kryesuesin e ekipit, ndërkohë që Bashkimi Evropian ka emëruar Robert Cooper si ndërmjetës në këtë proces të bisedimeve, që konsiderohet si teknik.

Top Channel