Një stërvitje në shkallë të gjerë midis trupave amerikane dhe atyre koreanojugore ka nisur, në atë që përbën një sinjal të fortë pas kërcënimeve për një sulm nga Korea e Veriut.
Sipas lajmit të raportuar në mesditë nga CNN, komandantët e të dy ushtrive theksojnë se manovrat stërvitore do të jenë të përqendruara vetëm tek mbrojtja.
Tre muaj më parë, Korea e Veriut bombardoi një ishull koreanojugor, duke vrarë katër civilë dhe duke ngritur nivelin e tensionit në stadin e tij më të lartë, që prej luftës që ndau Gadishullin Korean në dy shtete, në vitin 1953.
Ushtrimet stërvitore do të zhvillohen në tokë, det dhe ajër. Ato do të përfshijnë rreth 200 mijë trupa koreanojugore dhe 13 mijë amerikanë, shumica e të cilëve nuk janë të dislokuar në bazën e rëndësishme që SHBA ka në tokën e shtetit aziatik.
Stërvitja e përbashkët zhvillohet çdo vit dhe denoncimi i Penianit ndaj manovrave është i zakonshëm. Sipas shtetit komunist, stërvitja shërben vetëm si një pretekst për amerikanët, për të përgatitur një sulm në shkallë të gjërë ndaj “idealeve të revolucionit dhe markisizëm-leninizmit”.
Top Channel