Franca do të dërgojë dy avionë me ndihma për forcat opozitare në Libi, lajmëroi Kryeministri Francois Fillon, në një deklaratë për një televizion kombëtar, pak minuta më parë.
Lajmërimi erdhi disa orë pasi Ministrja e Jashtme, Michele Alliot-Marie, u shkarkua nga detyra si pasojë e kontakteve të saj me ish-regjimin e Ben Alisë në Tunizi.
Zoti Fillon theksoi se lëvizja nuk ishte as politike dhe as morale, por ekspertët besojnë pikërisht të kundërtën.
Parisi është akuzuar për tolerancën apo edhe mbështetjen e tij ndaj regjimeve autoritare, të cilat janë rrëzuar gjatë javëve të fundit.
Sipas shtypit francez, ish-Ministrja Alliot-Marie i ofroi ndihmë regjimit të Tunizit, për të shtypur protestat që sollën ndryshimin e regjimit në vendin e vogël arab.
Avionët do të mbërrijnë gjatë orëve të ardhshme në Bengazi, qytetin e dytë më të madh të Libisë, i cili është në duart e forcave opozitare.
Ata do të transportojnë mjekë dhe disa tonelata me mjekime. Nëpërmjet këtij gjesti, Franca shndërrohet në vendin e parë që jep një ndihmë konkrete ndaj protestuesve në Libi.
Top Channel