Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot sekretarin e përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Marc Perrin De Brichambaut.
Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, “presidenti Topi i bëri me dije qëndrimin e tij institucional zotit Mark Perrë dë Brishambo lidhur me situatën e krijuar në vend të shprehur dhe në letrën dërguar kryetarëve të partive politike parlamentare dhe të partive të tjera politike me rol aktiv në qeverisjen vendore”.
“Ngjarjet tragjike të 21 janarit, ku në rrethana të papranueshme u shënuan akte dhune ndaj institucioneve të shtetit dhe ku humbën jetën katër qytetarë, kërkojnë domosdoshmërisht një hetim profesional, të plotë dhe të pavarur me qëllim që cilido individ, i cili ka shkelur ligjin, pavarësisht përkatësisë politike ose profesionit, të përballet me pasojat e merituara ligjore”, u shpreh Presidenti i Republikës.
“Gjithashtu, presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e demonstrimit nga partitë politike të vullnetit politik si dhe përgjegjësi për gjetjen e një zgjidhjeje të situatës konfliktuale përmes dialogut institucional. Presidenti Topi, në përmbushje të rolit të tij kushtetues dhe ligjor që përcaktohet nga pozicioni i tij institucional mbi partitë, ritheksoi gatishmërinë e tij për të marrë çdo veprim të nevojshëm që nxit apo garanton dialogun politik institucional midis palëve politike”.
“Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së shprehu gatishmërinë e kësaj organizate për të ndihmuar vendin tonë për të garantuar që zhvillimi politik i vendit të jetë në përputhje me angazhimet e tij ndaj OSBE-së, parimet dhe standardet demokratike si dhe me aspiratat e tij për të ardhmen”.
“Në Shqipëri duhet të rifillojë dialogu politik konstruktiv brenda institucioneve politike shqiptare dhe të rivendoset sërish fokusi i përbashkët tek e ardhmja e Shqipërisë në Evropë, theksoi zoti de Brichambaut i cili nënvizoi se zgjedhjet vendore të datës 8 mund të shërbejnë si një instrument kyç për të ndihmuar në kapërcimin e ngërçit aktual politik.
Top Channel