Kryeministri Sali Berisha është takuar me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, zotin Marc Perrin De Brichambaut.
Sipas faqes zyrtare të Kryeministrisë, sekretari i përgjithshëm vuri në pah një seri projektesh të përbashkëta të rëndësishme dhe i vlerësoi ato, si arritje të mëdha të qeverisë shqiptare, si ai për gjendjen civile, sistemin e adresave, në fushën e pronësisë apo asistencën për Policinë e Shtetit.
“Kryeministri Berisha e njohu zotin Brichambaut me zhvillimet e fundit, pas përpjekjes së dhunshme të opozitës në 21 janar, për përmbysjen e qeverisë dhe institucioneve. Kryeministri theksoi qëndrimin e tij të palëkundur dhe koherent të shprehur që pas sulmit mbi Selinë e Kryeministrisë, që një hetim profesional, gjithëpërfshirës, i paanshëm dhe i besueshëm është themelor për kapërcimin e situatës së krijuar dhe per te ardhmen e shtetit ligjor. Ai theksoi se Kushtetuta dhe ligjet e vendit garantojnë standardet më të larta demokratike dhe zbatimi i tyre në mënyrë të përpiktë nga të gjithë aktorët, është një garanci jo vetëm për demokracinë në përgjithësi, por edhe për opozitën në veçanti”.
“Kryeministri theksoi se qeveria dhe mazhoranca është e palëkundur për të mbrojtur dhe respektuar në të njëjtin nivel të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës si garanci efektive për këto të drejta. Kryeministri shprehu shqetësimin se ky hetim nuk po përfshin të gjithë aktorët e 21 Janarit, mbi të gjitha aktorët që projektuan tentativën për përmbysjen anti- kushtetuese të organeve të zgjedhura me votë. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin që mbas më shumë se 1 muaj hetim, Prokurorja e Përgjithshme me nxjerrjen e vazhdueshme në media të dokumenteve të procesit hetimor po dëmton në mënyrë të rëndë jo vetëm profesionalizmin, por dhe mundësinë për një hetim të plotë e të paanshëm”.
“Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së ndau të njëjtin mendim me kryeministrin në lidhje me rëndësinë e një hetimi të paanshëm, gjithëpërfshirës dhe në kohë”.
“Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e zgjedhjeve lokale të 8 Majit. Sekretari i Përgjithshëm Brichambaut se në Shqipëri ekzistojnë të gjitha kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike dhe se këto zgjedhje duhet të mbahen në afatin e tyre kushtetues. Ai rikonfirmoi mbështetjen e plotë të kryesisë së radhës së OSBE-së për këtë çështje. Sekretari i Përgjithshëm gatishmërinë e Organizatës për të kontribuar nëpërmjet ekspertizës dhe vëzhgimit që zgjedhjet e 8 majit të ruajnë standardet e larta të konstatuara nga ODIHR dhe ti çojnë ato më tej”.
Top Channel