Vështirësohet qarkullimi nëpër rrugët e Kosovës.

Nga ngricat dhe reshjet e dëborës vetëm në tre ditët e fundit kanë vdekur dy qytetarë në dy aksidente të rënda.

Ndërkohë, të premten 27 persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti të një autobusi udhëtarësh që qarkullonte nga Ulqini për në Podujevë. Autobusi është rrokullisur në afërsi të fshatit Jagllanicë të Pejës. Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur për shkak të ngricave në rrugë.

Zyrtarët e policisë së Kosovës thonë se numri i aksidenteve të trafikut krahasuar me vitin e kaluar ka një përmirësim të dukshëm, kur vjet kishte 20 persona të aksidentuar për vdekje, ndërsa këtë vit janë shënuar vetëm pesë raste.

“Aksidentet janë shkaktuar si pasojë e reshjeve të fundit. Dy ditët e fundit është raportuar për dy aksidente me pasoja fatale, por përsa i përket statistikave të këtyre aksidenteve ka një përmirësim të dukshëm. E them këtë sepse në muajin janar të vitit të kaluar 23 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve ndërsa këtë vit kanë humbur jetën pesë persona, pra 80% më pak aksidente me pasoja fatale”, shprehet Arbër Beka, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Me qëllim të evitimit të aksidenteve të ndryshme rrugore, Beka tha se policia po bashkëpunon me kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve.

Policia e Kosovës i bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe që shpejtësinë ta përshtasin me kushtet atmosferike.

Ndërkohë, sipas Institutit Meteorologjik të Kosovës, nga e hëna pritet një ngritje e temperaturave mirëpo do të ketë sërish reshje bore dhe shiu.

 

Top Channel