Presidenti i ri i Kosoves, Behgjet Pacolli, duket se ka shkelur Kushtetutën që në minutat e para të marrjes së detyrës.

Siç boton në numrin e sotëm gazeta kosovare Koha Ditore, Pacolli ka votuar për qeverinë Thaçi duke kryer kështu funksionin e deputetit.

Sipas ekspertëve të Kushtetutes, mendimin e të cilëve ka marrë kjo gazetë, akti themeltar i shtetit ia ndalon presidentit kryerjen e funksioneve të tjera. Siç sugjeron kjo e përditshme, duket se Pacolli nuk ka qenë në dijeni të këtij fakti kur ka ngritur dorën në favor të qeverisë “Thaçi 2” në datën 22 shkurt në Kuvendin e Kosovës.

Votimi i qeverisë është bërë pas zgjedhjes së tij president. Eksperti Arsim Bajrami shprehet për Kohën Ditore se që në momentin që presidenti bën betimin i ka filluar mandati, ndaj si i tillë atij i ngrin çdo lloj funksioni tjetër publik.

Kujtojmë se për një akt të ngjashëm shkoi në Gjykatën Kushtetuese edhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu, pasi kishte  vënë firmën si kryetar partie në një dokument të LDK-së.

 

Top Channel