Në ditën e katërt të tij si president, Behgjet Pacolli vendosi të vizitojë Mitrovicën, qytetin i cili prej një dekade vazhdon të jetë i ndarë në jug dhe veri.

Para se të kalojë urën mbi lumin Ibër, në jug Pacolli u takua me Ministrinë e Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi.

Të dy, bashkë me të tjerë, ecën në këmbë në pjesën veriore, deri në lagjen Suhodoll, në shtëpinë e ministrit të Brendshëm, Rexhepi.

Por, gjatë kësaj ecjeje ata u takuan me qytetarë të shumtë të veriut të Mitrovicës. Banorët shqiptarë të kësaj ane duket se nuk janë mësuar me vizita të tilla. Ata dalin në ballkone, fotografojnë Pacollin, madje edhe e duartrokasin për veprimin e tij.

Ai u garanton shqiptarëve dhe serbëve mbështetjen e shtetit dhe inkurajon që të vazhdojnë të jetojnë në këtë pjesë që shpeshherë është shndërruar në arenë dhune.

Po ashtu edhe banorëve serbë që dolën në rrugët e lagjes, pak metra tutje “Tre rrokaqiejt”, u bëri përshtypje gjithë ky grumbull njerëzish, ndërsa zyrtari i lartë i shtetit të Kosovës që u prin atyre, kalon edhe pranë një ndërtese ku është e vendosur Komuna e Mitrovicës, që drejtohet nga strukturat paralele serbe.

Veriu i Mitrovicës, aty ku autoriteti i Prishtinës zyrtare ka munguar që prej paslufte, bëri që presidenti Pacolli të mos i lejojë asgjë rastit. Për ta siguruar atë u angazhuan forca të mëdha policore të Kosovës dhe të EULEX-it.

Megjithatë, për presidentin e ri kosovar, Veriu dhe Jugu janë vetëm terma gjeografikë.

“Të konfortojmë banorët e kësaj ane pa marrë parasysh se cilës fe dhe kombësi i përkasin, t’u tregojmë se janë pjesë përbërëse e Kosovës dhe për të treguar se edhe këtu mbretëron ligji”, është shprehur Pacolli.

“Ky është term gjeografik në kokat e disa njerëzve, por në një kohë shumë të shkurtër e gjithë Kosova do të jetë bashkë”, shtoi Rexhepi.

Por, larg Kosovës dhe halleve të banorëve të këtij qyteti, presidenti kosovar që njihet si mik i liderit libian Muamar Gadafi, pyetet edhe për situatën në Afrikë.

Pas disa minutash, Pacolli me eskortën e tij largohet nga kjo pjesë, ndërsa banorët mbesin në pritje që çështja e qytetit të tyre, i ndarë jo vetëm nga lumi, të rregullohet sa më parë.

Top Channel