Një pjesë e mirë e ndërtesave që i rezistuan tërmetit në Kristçërç, Zelandën e Re, do të shemben pasi janë bërë të pasigurta për të banuar apo punuar.
Kryeministri i vendit, John Key, deklaroi gjatë drekës se ekspertët e kanë lajmëruar se ndonëse qëndrojnë ende në këmbë, shumë ndërtesa kanë pësuar dëme strukturore dhe shembja e tyre është bërë e domosdoshme.
Kjo do të thotë se qyteti me 400 mijë banorë do të përballet me një revolucion të vërtetë në muajt dhe vitet që do të vijojnë, ndërsa do të shndërrohet në një kantier të vërtetë ndërtimi.
Pjesa më e madhe e godinave që do të shemben ndodhen në qendër. Nuk dihet ende nëse qyteti do të rindërtohet njësoj siç ishte apo do të zgjidhet nga ndonjë projekt që do të ndryshojë fytyrën e Kristçërçit të ri.
Ndërkohë, me qindra punëtorë shpëtimi vazhdojnë punën e tyre, pavarësisht se sot është dita e katërt pas tërmetit dhe që prej 24 orësh, janë tejkaluar afatet e mbijetesës maksimale në rënoja,
145 persona janë konfirmuar të vdekur, ndërsa 200 janë të zhdukur. Shumica, për të mos thënë të gjithë prej tyre, besohen të vdekur.
Top Channel