Komandanti i trupave të KFOR-it, gjenerali Erhard Byhler ka deklaruar se situata në veri dallon nga ato në pjesët e tjera të Kosovës për shkak se atje kanë bazën e tyre organizatat kriminale.

“Këto struktura radikale përbëjnë një kërcënim real për një mjedis të sigurt dhe të qendrueshëm”, ka pohuar Byhler.

Megjithatë gjenerali ka nënvizuar se veriu nuk është vetëm vendi i kriminelëve, por edhe i shumë qytetarëve të ndershëm.

“Nuk flas këtu për banorët në përgjithësi, ata janë të ndershëm dhe të qetë. Nuk them se kjo është një zonë ku jetojnë vetëm kriminelët. Kurrësesi nuk është kështu”, ka pohuar Byhler.

Komandanti ka bërë të ditur se strukturat kriminale në veri financojnë strukturat radikale, për crrënjosjen e të cilave do të duhet kohë.

“Përmes një plani afatgjatë do të arrijmë në një situatë ku nuk do të ketë më ushtarë të armatosur në mbarë Kosovën. Njerëzit jashtë Kosovës, në vecanti investitorët, nuk mund të binden se situata është e sigurt vetëm sepse në rrugë qarkullojnë ushtarët”, ka shtuar Byhler.

Top Channel