Presidenti i ri i Kosovës, Behxhet Pacolli ka deklaruar sot se është i gatshëm të përballet me Gjykatën Kushtetuese nëse kjo do të hetojë votimin për zgjedhjen e tij.

Pacolli ka hedhur poshtë deklaratat e kryetarit të Parlamentit Jakup Krasniqi për numrin e deputetëve, duke nënvizuar se kandidatura e tij u miratua nga 90 për qind e ligjvënësve.

Pacolli ka folur edhe për sms-të e shkëmbyera në Parlament ditën e votimit, duke u shprehur se ato ishin pjesë e një komunikimi privat mes tij dhe këshilltarit të tij.

Zgjedhja e Pacollit në krye të shtetit kosovar është kundërshtuar nga partitë e opozitës, pas publikimit të sms-ve që tregonin ndërhyrjen e ambasadorit amerikan Christopher Dell.

Deklaratën e sotme Pacolli e bëri pas një takimi me ministrin e Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj, pas të cilit zhvilloi një takim edhe me shefin e misionit EULEX, Xhavier Bout de Marnhac.

Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi deklaroi se mbi legjitimitetin e votimit të presidentit mund të prononcohet vetëm Gjykata Kushtetuese.

Top Channel