Zona e kontrolluar nga koloneli Muammar Gaddafi, në Libi, është gjithmonë e më e vogël, ndërsa mbështetja për protestuesit shtrihet gjithmonë e më gjerë në vend.
Sipas dëshmitarëve, kryeqyteti Tripoli ruhet nga trupa të rënda që mbështesin diktatorin, ndërsa tanqet janë dislokuar në zonat periferike.
Aktualisht, protestuesit kontrollojnë pothuajse të gjithë zonat e tjera të vendit dhe besohet se po përgatiten për një mësymje ndaj kryeqytetit, në atë që mund të rezultojë në fillimin e një lufte civile në Libi.
Më parë gjatë ditës, burime brenda Brukselit thanë se Bashkimi Europian është duke konsideruar mundësinë e një ndërhyrje ushtarake.
Çmimet e naftës kanë arritur gjatë ditës në nivelin e tyre më të lartë që prej vitit 2008, sepse firmat libiane kanë pezulluar përkohësisht punën.
Me mijëra të huaj vazhdojnë të lënë vendin e Afrikës Veriore, ndërsa SHBA, Kina dhe vendet e Bashkimit Europian vazhdojnë të dërgojnë aviona në vend, për të evakuar shtetasit e tyre.
Në të njëjtën kohë, frika e BE-së për një valë emigrantësh duket se po fillon të materjalizohet, pasi karvane me njerëz që kanë ngarkuar mobiljet dhe sendet personale janë formuar në rrugë, në përpjekje për të emigruar në vendet fqinje.
Dëshmitarë thonë se në Tripoli gjendja është katastrofike. Askush nuk del në rrugë, furnizimi me energji elektrike dhe ujë është ndërprerë, ndërsa rezervat ushqimore po shterojnë.
Top Channel