Ish-ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ia ka dorëzuar detyrën presidentit të zgjedhur të Kosoves, Behgjet Pacolli.

Në këtë takim, të zhvilluar të enjten në mëngjes, Krasniqi i uroi detyrën e re. Ndërsa, presidenti, Behgjet Pacolli tha se, me zotin Krasniqi, si kryetar i Kuvendit do të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm në interes të ndërtimit të një shteti të sinqertë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ndërsa Krasniqi tha se, “Kuvendi i Kosovës, me votat e veta, i ka dhënë besimin zotit Pacolli për të qenë president i Kosovës dhe unë jam sot këtu për t’ia uruar detyrën. Pushtetet janë të ndara dhe ne do t’i kryejmë detyrat tamam ashtu sic e jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet me të cilat punojnë dy institucionet”.

I pyetur rreth sms-ve të ambasadorit amerikan Christopher Dell dhe presidentit Pacolli, Krasniqi nuk ka dashur të komentojë duke e konsideruar këtë si cështje të tyre private.

Ndërsa edhe vetë Pacolli i është shmangur komentimit të kësaj cështjeje. Me tej, ai është takuar me kryeministrin Hashim Thaci.

Në një komunikatë nga kryeministria njoftohet se të dy liderët më të lartë institucionalë të vendit u shprehën shumë të përkushtuar për të bashkëpunuar në të gjitha fushat që janë të ndërlidhura me Kushtetutë mes këtyre dy institucioneve, në të mirë të interesit të Republikës së Kosovës dhe të të qytetarëve të saj.

Top Channel